
PËR ATA QË JETËN DHANË…
Vetë fjala “luftë” është e rëndë. E rëndë se merr jetë njerëzish, se djeg e shkatërron, se kërkon sakrifica të
mëdha. Ndaj luftën nuk e do Njeriu, por kur ajo të zë, kur ajo të imponohet, atëhere duhet përballuar me çdo sakrificë për
të mundur luftën, për të shpëtuar jetën, për të fituar lirinë e për të bërë zhvillimin.
Shqiptari nuk ka qënë asnjëherë në historinë e tij luftënxitës, por ama sa herë që të huajt - pushtuesit - ia kanë imponuar,
ai ka ditur të përballet me heroizëm. Kështu ndodhi edhe në Luftën e Dytë Botërore dhe me fteriotët tanë. Fterra jonë e vogël
me rreth 100 shtëpi bëri sakrificën e saj të madhe, u bashkua e tëra me luftën për liri. U dogj dy herë si fshat. Derdhi dhe
jo pak gjak. Gjashtë yje të pashuar ka sot Fterra jonë. 5 Maji u bë dita e
tyre. Kjo ditë e madhe, simbol i gjakut të të rënëve për liri e demokraci, na fton të shkruajmë, na fton të kujtojmë dëshmorët
e fshatit tonë të mbuluar me nder e lavdi të përjetshme.
Fuat Mato - më i riu midis tyre , dëshmori i parë i Fterrës dhe i rinisë së Kurveleshit; Hiqmet Dusha e Turhan
Mato - dy komisarët, lajmëtarë të kushtrimit, simbol të frymëzimit, mjeshtër të dyfekut, të fjalës e të organizimit;
Azem Çeli e Osman Memi, të dy jetimë, trima të çartur, që s’e njohën frikën, të shquar për qëndresë dhe akte
heroizmi; Shaqo Mita , mbylli vargun e të rënëve, pleqëria dhe shikimi i kufizuar nuk e penguan që edhe këtë herë të
gjente saktë rrugën e lirisë, vjershëtor i frymëzuar dhe atdhetar gjer në vdekje.
Hiqmeti, Turhani,
Azemi, Fuati, Osmani dhe xha Shaqua ishin njerëz të thjeshtë, të lodhur e të munduar nga hallet e jetës dhe nga shtypja e
dyfishtë. Ata u lindën dhe u rritën në Fterrë. Atje hodhën shtat dhe formuan karakterin e tyre, u ushqyen me pak bukë misri
të pjekur ndënë saç dhe me shumë atdhetari, ndershmëri e trimëri.. Në Fterrë ata mësuan shkronjat e gjuhës së ëmbël shqipe
dhe morën dituritë e para. Bashkë me shokët lozën e rendën nëpër sokakët e fshatit dhe shuan etjen me ujin e ftohët të Ixorit.
Ata e deshën jetën, ndaj ranë për jetën, për Fterrën dhe për tokën mëmë. Pesë nga të gjashtë ishin të rinj dhe shijuan fare
pak nga jeta, madje katër prej tyre nuk arritën as të veshin rrobat e dhëndërrisë, por të vyrtytshëm, të ndërgjegjshëm si
askush tjetër e dhanë jetën “si me le”.
Për të gjithë bijtë e saj Fterra vajtoi dhe këndoi rrimë vai, oshëtimë kënge. Historike
edhe vaji edhe kënga. Kushtrim e flamur vargu i vajit dhe i këngës. Fterra u përlot kur ra Fuati, provoi dhimbje e rënkime
kur ra Hiqmeti, ndjeu keqardhje për xha Shaqon dhe urrejtje për kriminelët që e masakruan. Por vaji dhe dëshpërimi pushtoi
tërë fshatin kur në një mëngjez korriku të ‘44 -trës erdhi i njëkohshëm lajmi i rënies së tre bijve të tjerë: Turhanit,
Azemit dhe Osmanit. Vargjet e mëposhtme e sjellin pranë atmosferën e asaj
dite të zezë.
Filloi vaj’ e ligjërima
An’ e mbanë fshatit tënë
Erdh mandata për tre trima:
Turhan, Azem e Osmënë.
Qajnë nënat, qajnë motrat
Për këta trima që ranë,
Dridhen malet, tunden kodrat
Për ata që jetën dhanë.
Vaji zgjati vetëm pak kohë, kurse kënga vazhdon edhe sot. Madje edhe vajet e nënave e të motrave u kthyen në këngë, një dëshmi
e madhe, dëshmorët ranë për të mbetur përjetësisht shtatore të pavdekshme
Bajram
SADIKAJ
Nr. 13 – prill, 1999
NË IXUAR U HAP LUFTA ATË NATË...
Më 26 janar 1943 çeta “Hajredin Tremishti”, që ishte çeta e parë partizane e Kurveleshit, ndodhej në Fterrë. Ajo
në bashkëpunim me çetën territoriale të Fterrës dhe të një pjese të njësitit të Çorrajt dhe Borshit kishin vendosur të sulmohej
dhe asgjësohej postblloku fashist në Borsh. Qenë bërë përgatitjet e nevojshme. Duke shfrytëzuar errësirën e natës dhe fshehtësinë
e lëvizjes u sigurua afrimi e vendosja e partizanëve pa u diktuar deri disa metra afër pozicioneve të fashistëve italianë.
Duke u gdhirë 27 janar 1943 partizanët hap zjarr me të gjitha armët: me pushkë, me bomba dore dhe mitrolozë të lehtë. U krijua
një përshtjellim i madh në ndërtesën ku rrinin italianët. U dëgjuan britma. Mitrolozi i rëndë italian nga bunkeri hapi zjarr
rrethor të vazhdueshëm. Lufta vazhdoi disa orë. Pritej që italianët të dorëzoheshin. Çatia e godinës ku rrinin ushtarët italianë
ishte shkatërruar plotësisht. Partizanët kishin arritur në derën endërtesës e pranë bunkerit. Në momentin më kritik për forcat
italiane, nga Palermua po vinte një forcë e re në ndihmë të postbllokut. Rrethimet dhe lufta në dy frontet u bë e vështirë.
Forcat partizane u tërhoqën në drejtim të Fterrës. Në këtë luftë u vra trimi i paepur Fuat Mato dhe u plagos Shuquri Sadiku.
Nën zjarin e mitrolozave të armikut ne mëundëm të tërhiqnim trupin pa jetë të Fuatit. Rol të veçantë luajti luftëtari i fortë
dhe trim Veip Mero.
Ky aksion shumë i guximshëm pati një rëndësi të madhe për rritjen e urrejtjes të popullit për pushtuesit fashistë dhe bashkëpunëtorët
e tyre, pë r shtimin e radhëve partizane, për mobilizimin e popullit në luftë për çlirimin e vendit, për rritjen e eksperiencës
në orgfanizimin dhe zhvillimin e luftimeve në shkallë më të madhe, që u realizua më vonë dhe mbi të gjitha në rritjen e besimit
në luftën dhe fitoren mbi armikun.
Pasho
ZHUPA
Ish
pjesëmarrës në aksion
Nr. 6 – shkurt, 1998
E
ZEZA NATE E JANARIT
Fuat Mato, djali
i vogël i Jasharit dhe Fatimesë, vëllai i Turhanit dhe Xhanes (motra e vetme e Fuatit dhe Turhanit), lindi në Fterrë në qershor
1927.
Ishte 26
janar 1943.
Atë ditë u ngarkua me detyrën e korrierit në Çorraj. Shokët deshën ta ruanin korrierin e vogël e të papërtuar. Por Fuati mbasi
kreu detrën engarkuar fluturoi si era dhe dhe i doli çetës përpara tek shkonin në përpjekje me fashistët.
Në postbllokun armik, së bashku me bombat e partizanëve të tjerë, ranë edhe bombat e Fuatit. Po...aty e mori plumbi
dhe ra në vijën e parë, dëshmori i
parë i rinisë së Kurveleshit.
Në Fterrë i u thurr kënga me vaj:
E zeza natë e janarit, e zeza,
Në postëbllok u ndez zjarri, e zeza,
Kush u hodh në flakë i pari, e zeza,
Djali i vogël i Jasharit, e zeza,
Fuati, petrit i malit, e zeza.
Në Fterrë më 28 janar 1943, në ceremoninë e varrimit erdhën edhe përfaqësues të rinisë nga të gjithë fshatrat e Kurveleshit.
Një fjalim të zjarrtë mbajti Birçe Sinamati nga Kuçi. Tek varri i Fuatit bëri për të betimin Hiqmeti ynë.
Memo Meto komisari
i solli nënë Fatimesë ngushëllimet e partizanëve të krahinës. Dhe aty për aty ngriti vjershën aq të njohur:
Në Ixuar u hap lufta atë natë,
Dhe në Fterrë ulërima, një mandatë.
Plot me vaj e ulërima gjithë fshati,
Sillej trupi luftëtarit Fuat Mati.
Që nga turma del një grua me tumane
Po del nëna e Fuatit, një spartane,
u flet shokëvë dhe shoqeve krenare,
siç e kanë zakon nënat shqipëtare
dhe u thotë: Për Fuatin mos vajtoni
dhe për ngushëllim tek mua mos nxitoni,
se si djalin tim Fuatin këtë herë,
Fashizmi do të na vras edhe të tjerë…
Të ngrihemi që të gjithë djalë e plak,
Se liria i ka rënjt mu në gjak.
Dilaver
SHKURTI
bashkëmoshatar
dhe shok i Fuatit
Nr. 6 – shkurt, 1998
“MOS MË LENI TË GJALLË NË DORËN E ARMIKUT”
Sipas
bisedës me Nafiz Bezhanin, ish-partizan i i Brigadës I Sulmuese
Në fillim të dhjetorit 1943, para se të fillonte operacioni armik i Dimrit, erdhi në Fterrë batalioni IV i Brigadës
s I Sulmuese, me në krye komisarin e brigadës Tuk Jakova. Tuku shtroi problemin e përforcimit të kësaj njësie, duke kërkuar
vullnetarë nga Fterra. Të rinjtë e fshatit tonë ju përgjigjën flakë për flakë: Nafiz Bezhani 15 vjeç, Osman Memi 16 vjeç,
Pasho Zhupa, Sami Kofina, Razip Gjoni dhe Azem Çeli – 18 vjeçarë. Të gjithë këta, ndonse të rinj, ishin të armatosur
dhe të përgatitur, sepse kishin kryer detyra luftarake në çetën territoriale të Fterrës. Djemtë trima të Fterrës, bashkë më
shokët e tyre të brigadës, kaluan dy prova të rënda: Operacionin e egër armik që kishte synim shkatërrimin e Lëvizjes Antifashiste
Nacionalçlirimitare, sido-mos Brigadën e Parë, që ishte njësia më e madhe luftarake; dimrin e tmerrshëm të atij viti, ku partizanët
ishin ditë e natë pa çati, pa zjarr, pa bukë, pa gjumë. Të dyja këto prova partizanët fteriotë i kaluan me sukses. Përveç
vullnetarëve që dolën në fshat, në këtë brigadë ishin edhe tre fteriotë të tjerë; Turhan Mato e Shefqet Brinja, që
kish marrë pjesë në të që nga themelimi i saj, si dhe Bektash Gëdo që kishte ardhë nga çeta e Matit.
Me Turhanin, zv.komisar kompanie, tregon Nafizi, u takuam dy herë, më 7 shkurt 1944 në Vërzhezhë të Skraparit dhe
më 8 prill 1944 në Poçisht të Oparit. Pas një muaji nga takimi i fundit, Turhani u vra si trim, duke u shkruar letrën e fundit
bashkëfshatarëve, e cila u lexua para gjithë partizanëve të brigadës, të cilët u prekën dhe u përlotën. Krahas pikëllimit
të thellë në zemrën e fteriotëve u ndje dhe krenari e ligjishme për jetën luftarake të Turhanit.
Më 9 maj 1944, partizanët fteriotë patën edhe një goditje tjetër të rëndë. Në Shelcan
të Elbasanit vritet Osman Memi. Nafizi kujton ditën e 9 majit ku tre kompanitë e batalionit IV sulmuan në befasi
rrerh orës 4 të mëngjezit 150 armiq të dislokuar në Shelcan. Ata u thyen e ikën në panik duke lënë 23 të vrarë dhe 8 robër.
Pas kësaj, Nafizi me Osmanin dhe një shok tjetër zbritën në fushën e Shelcanit drejt Elbasanit.Një plumb godit ne automatikun
e Osmanit dhe copat i plagosin gishtin e madh. Në një pjesë të xhveshur u dukën një varg i madh gjermanë e xhandarë që përpiqeshin
t’u zinin krahët. Bënë përpjekje për t’u tërhequr drejt Shelcanit, por armiqtë i kishin zënë shtigjet e tërheqjes.
Osmani e kishte të vështirë të tëriqej zvarrë dhe pa parashikuar rrezikun u çua dhe doli në buzën e një are ku plumbi i armikut
e goditi tej përtej në bark. Pasi asgjësuam oficerin nazist që ishte shumë afër, vazhdon bisedën Nafizi, tërhoqëm Osmanin
e plagosur rëndë dhe e shpumë në kishën e fshatit ku e mjekuam. Por gjaku nuk pushonte. Kërkesa e tij ishte “ mos më
leni të gjallë në dorën e armikut”. Ne, thotë Nafizi, vazhduam dhe nuk u tundëm deri sa na mbaruan fishekët dhe bombat
e dorës, pastaj u futëm në kishë me një revolver dhe tre fishekë, pikërisht ai revolver që ruhet në Muzeun Kombëtar. Kur të
gjitha shpresat ishin prerë, dëgjuam zërin: para partizanë dhe breshëri plumbash. Partizanët i vunë armiqtë përpara duke lënë
32 të vrarë. Por Osmani ishte shumë rëndë. E morëm në një vig për në spitalë, por zemra e tij pushoi sa doli në breg.
Një muaj pas vrasjes së Osmanit,
më datën 6 qershor, ra trimërisht në Gurin e Prerë edhe Azem Çeli, që mori pjesë në Operacionin e Qershorit. Guri i Prerë
ishte pika strategjike drejt së cilës u vërsulën 3000 nazistë të armatosur me të gjitha mjetet, me synim që të merrnin krahët
e brigadës, t’a shpartallonin atë dhe njësitë e tjera partizane të zonës Berat-Përmet. Eskalioni i parë armik u thye,
por ata hodhën në sulm forca të reja dhe pushtuan disa pika strategjike. Mitralozi “sharrs” nuk i linte partizanët
të nxirrnin kokën nga trashea në pozicionet e bëra në luftën italo-greke. Komisari i kompanisë u plagos rëndë dhe kishte mbetur
në një pozicion midis të dy palëve. Komisari nuk duhet të lihej i gjallë në duar të armiqve. Atëherë Azemi nxorri mitralozin
e tij dhe ia drejtoi “sharrsit”. Për një çast ai pushoi. Azemi u hodh përpara në një arë, kur “sharsi”
filloi përsëri të vjellë zjarr duke e lënë Azemin të shtrirë për vdekje bashkë më 14 partizanë të tjerë. Armiqtë në këtë beteje
lanë mbi 200 të vrarë dhe nuk ia dolën dot qëllimit të tyre.
Shembull trimërie nuk kanë qënë vetëm dëshmorët, por gjithë partizanët fteriotë. Kujtoj Sami Kofinën dhe togën e tij, që çliruan
Pallatin Mbretëror të Tiranës të rrethuar me bunkerë. Vetë Samiu, nën zjarrin mbojtës që i bënë partizanët, kapërceu i pari
murin, duke u përleshur fytas me armiqtë.
Fterra jonë krenohet edhe kur kujton që më 8 gusht 1944 në Helmës të Skrapartit, në Kongresin I të Rinisë, morën pjesë si
delegatë edhe dy delegatë fteriotë: Nafiz Bezhani e Bilal Dusha.
Dilaver
SHKURTI
Nr.19 – prill, 2000
ERDHI MANDATA PËR TRE TRIMA
Duke shfletuar gazetën "Fterra
jonë" , Nr.21 - gusht,2000, pashë të botuar këngën e tre dëshmorëve të fshatit tonë, Turhan Mato, Osman Memi dhe Azem Çeli,
dërguan nga Saranda prej Mirteza Brinjës, i cili meriton falënderime për këtë kujtesë.
Botimi i saj më zgjoi shumë kujtime të asaj periudhe të stuhishme të epokës së madhe të lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare
. Kuptohet qe Mirtezai nuk e ka ditur autorin e asaj kënge.
Ishte muaji maj 1944, kur lajmi i hidhur për tre trimat erdhi në një ditë nga shtabi i brigatës I Sulmuese. Në tërë fshatin
u dëgjuan ulërima. Dhimbja nguroi çdo moshë. Sa shumë vaje, lotë e ligje derdheshin nga nënat e motrat tona. Ishte një shpërthim
i paparë i muzës së pashoqe labe, të cilat ngjallnin aq shume emocione.
Kjo situatë emocionante frymëzoi bashkëfshatarin tonë, shume të respektuar, Ismet Elezi,
të shkruante atë këngë, flakë për flakë. Ajo këngë përmban jo vetëm dhëmbjen e madhe për tre trimat, por brenda saj edhe karakteristikat
e tyre, vuajtjet e shumta e hallet e tyre, objekt i të cilave mund të jenë shkrime të tjera në të ardhmen
Ismeti ynë, i flet Turhanit: "O Turhan o lule djalë, nga goja mjaltë lëshoje…". Në këngë u tregohej njerëzve se "Osman
Memi u rrit jetim me plot vuajtje…", po kështu edhe për Azem Çelin.
Kjo këngë u mësua nga të gjithë dhe shpejt filluan ta këndojnë.
Nga dëshira për ta kënduar, me qënëse rrima e përdorur nga autori afrohej në rrimën e këngës së dëshmorit Themo Vasi, që u
vra në operacionin e parë gjerman në atë zonë në tetor 1943, në mal të Golemit, këngës i adoptuam melodinë e saj, e cila këndohej
çdo ditë nga të rinjtë, e dalëngadalë doli edhe jashtë fshatit. Kjo këngë që përmban brenda dhëmbjen, plotësoi edhe
traditën e popullit tonë për t'u kënduar trimave, që bien për atdhe, duke i bërë të ecin bashkë lotë, ligje e këngë.
Autori këtë gjëmë të rëndë e konstaton se u bashkua edhe me dy të rënë më parë, prandaj shkruan:
"Fuat e Hiqmet më parë
dhe juve të tre, o shokë!
Nga gjiri i Fterrës u ndatë,
e pushoni nënë tokë".
Ne bashkëkohësit e tyre i kujtojmë ata me respekt, e ky kujtim e nder do të shkojë nga brezi në brez. Njëherësh ne i urojmë
autorit të këngës, Ismetit, shëndet e jetë të gjatë për krenarinë e Fterrës sonë dhe për të mirën e shkencës e të së drejtës
shqiptare.
Lurtfi
DUSHA
Nr.22 – tetor,2000
NDERIM
E RESPEKT TE PERJETESHEM PER DESHMORET E FTERRES SONE
Dashuria për vendlindjen
dhe për Atdheun dhe dëshira për të jetuar në liri e në paqe në trojet e tyre, si dhe urrejtja për armiqtë dhe pushtuesit
e huaj, i ka karakterizuar fteriotet në të gjithë brezat e shkuar e deri në ditët tona.
Në të gjitha kohrat dhe momentet që liria dhe pamvarësia e vendit tonë kanë qënë në rrezik, fteriotët
i janë përgjigjur të parët duke u rreshtuar në radhët e luftetarëve për liri e pamvarësi. Kjo u duk qartë dhe në Luftën Nacionalçlirimtare.
Përkrahja, ndihmesa dhe angazhimi direkt në rreshtat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të 45 partizanëve e partizaneve dhe të
mbi 50 fteriotëve të tjerë në çetën territoriale të Fterrës, përfshi këtu djem, burra, gra, të rinjë të reja, vërteton më
së miri se sa luftëtar, patriot e liridashës kanë qënë dhe janë fteriotët. Fterra i dha Atdheut 6 dëshmore, Hiqmet Dusha,
Turhan Mato, Fuat Mato, Osman Memi, Azem Çeli dhe Shaqo Mita. Jeta vepra, dhe trimëria e tyre deri në dhënien e jetës
për lirinë e Atdheut, janë dhe do të mbeten si treguesi më kuptimplotë si kujtimi, nderimi e respekti më i madh që ruajmë
për dëshmorët e fshatit tonë.
Duke e hedhur vështrimin më tutje, në vitet e historisë, mesojmë se, në të gjitha
kohërat Fterra ka lindur e rritur burra e gra, trima e trimëresha luftëtarë, që me plagët e gjakun e tyre, kanë mbrojtur
vatanin nga pushtuesit dhe armiqtë e çdo ngjyre.
Nga kujtimet e ruajtura brez pas brezi për historinë e luftrave të zhvilluara nga dokumentat e pakta që ruhen, nga
Fterra janë dalluar mjaft burra e gra të cilet kanë treguar guxim e trimëri të rrallë, deri në dhënien e jetës, për të mbrojtur
Atdheun, lirinë dhe pamvarësinë. Kështu mund të përmendim, luftetarin trim, të mënçur e patriot Lazo Kofina i parë.
Mulla Lazo Kofina, ka lindur në Fterrë rreth vitit 1800. Ai ka qënë burrë
trim, i zgjuar, kundërshtar i betuar kundër pushtuesve otoman, organizator dhe udhëheqës i lidhjes kundër reformave të tanzimatit.
Ai ka qënë sekretar dhe këshilltar i Zenel Gjolekës. Veprimtaria e tij njihej në krahinën e Kurveleshit. Dhe populli
e përjetësoi veprën e Mulla Lazos në këngë:
Kurvelesh derë më derë
Me një mulla Lazo Fterrë
Lidhën fjalën e bënë benë
Që nizamë të mos venë…
Duke parë veprimtarinë anti- osmane të tij, autoritet osmane e cilësuan si një
kundërshtar të rrezikshem, dhe pasi nuk ja dolën dot me presione e kërcënime për ta larguar nga Besëlidhja Labe, i ofruan
grada, shpërblime e privilegje të ndryshme, të cilat Mulla Lazua nuk i pranoi dhe nuk u bë vegël e tyre. Ai edhe pse i varfër,
mbeti deri në fund bir besnik i idealeve për liri.
Ja si e pasqyron rapsodi, të kaluarën e varfër, por të pastër të këtij trimi të
pa përkulur:
O’ more Lazo Kofina
S’pranove lule e sqima
Por me arna t’u mbush linja…
Mulla Lazo Kofina ishte udhëheqës i luftëtarëve fteriot. Ne librin
e Mexhit Kokalari “Trimat e Kryengritjeve Popullore”, botim i vitit 1979, (faqe 143 – 145) autori shkruan:
…Në betejën e përgjakëshme në fushën e Delvinës, u dalluan për trimëri të rrallë luftëtarët Gjirokastritë të udhëhequr
nga kordhëtari sypatrembur Ibrahhim Sina, trimat e Bregdetit, të Çamërisë e të Zhulatit të komanduar nga Osmen Kuçi si dhe
luftëtarët e fshatit Fterrë, me në krye Mulla Lazo Kofinën .
Për veprimtarinë e tij patriotike si bashkluftëtar i Zenel Gjolekës, kundër pushtuesve osmanë dhe duke
mos pranuar të bëhet vegël e tyre, turqit e kapin pabesisht dhe e masakruan në fshatin e tij të lindjes në Fterre, në
vitin 1850.
Duke vlerësuar aktivitetin patriotik të tij me Vendim të Komitetit Ekzekutiv të rrethit Sarandë Nr.83
datë 21.7.1992, Mulla Lazo Kofina, shpallet ”DESHMOR I KOMBIT”.
Një fjalë e urtë e popullit thotë: “dardha bie nënë
dardhë”, apo e thënë ndryshe ”nga dera dhe soi i trimave, lindin vetëm trima”.
Nga ky fis dhe kjo derë me vonë dolën luftëtarë të tjerë. Në vitet e luftes Nacionalçlirimtare nipi i Mulla Lazo Kofines,
Iliaz Kofina, bashkë me të birin, Sami Kofina, u radhitën në rreshtat e partizanëve në brigatën e I Sulmuese. Për veprimtarinë
dhe trimërinë e këtyre luftëtarëve ndoshta është shkruar pak, por bashkluftëtarët e tyre z. Nafiz Bezhani e te tjere,
tregojnë se kanë luftuar me një trimeri të madhe jo vetëm brënda kufijve të Shqipërisë, por deri edhe në Kosovë e në Malin
e Zi.
Një trim dhe luftëtar tjetër i shquar që ka dalur nga fshati
ynë ka qënë edhe Islam Gjonika (Fterra). Islam Gjonika ka lindur ne Fterrë në vitin 1835 dhe rridhte nga një familje me tradita
patriotike e liridashese. Ai ka qënë jo vetëm një luftëtar trim, por edhe komandant i çetes se Fterres. Islami ka qënë vallai
i Mulla Selim Gjonikës i cili hapi shkollën e parë shqipe në Fterrë në tetor të vitit 1916 dhe u bë mesuesi i parë i saj,
si dhe vellai i Ferhat Gjonikes.Vazhdim i trungut të kësaj familje me vonë, janë nipi i Islamit, Hidajet Gjonika dhe
e bija e Hidajetit dhe e Xhevos, Liri Gjonika (Shkurti). Kjo është e vetmja dhe e fundit trashëgimtare e kësaj dere dhe
e këtij mbiemri.
Në janar të vitit 1878, në jug të vendit, Atdheun tonë e sulmuan nga
deti forcat shoviniste greke. Në fillim ju drejtuan Himarës, por pasi nuk mundën që ti benin për vehte djemtë dhe burrat himarjotë,
nuk zbarkuan dot në Himare, ju drejtuan gjirit të Sarandës, me qëllim që të kapnin e të merrnin Kalanë e Lëkurësit.
Për këtë ngjarje të madhe të kohës populli, shkruan:
Që në Sarand’ e Kastri
Vjen vaporri zeherlli
Nëpër det si mal i zi
Një vaporr me tri gjemi
Perdridhet si gjarpëri
Veshtron vendin me dylbi
Ku bie Lëkuresi …
Në këto kushte luftëtarët e të gjitha krahinave dhe komandantët e
çetave u organizuan dhe marshuan drejt Sarandës për të organizuar mbrojtjen e Lëkurësit nga pushtuesit shovinist. Bashkë
me e krijimin e çetave, linden dhe këngët patriotike të cilat bënin thirrje për organizim e qëndresë ndaj okupatorit shovinist
. Dolli greku në Sarëndë
Kush është djalë në këmbë
Të hidhet, të zërë vëndë…
Ç’kerkon Jorgua i Greqisë
Në sinor të Shqipërisë
Shqipe e zezë si korbi pisë
Do t’a bëjë që të noisë…
Të gjithë luftëtarët e krahinave jugore zbritën ne fushën e luftës
për të “mirseardhur”komshiun e paftuar. Qellimi kryesor dhe i vetëm ishte zmbrapsja e pushtuesit dhe mos lejimi
i pushtimit të Sarandes dhe veçanërisht mbajtja e Kalasë së Lekursit. Luftetarët e këtyre çetave udhëhiqeshin nga komandantët
trima si: Idris Alidhima, Rakip Gjocaj nga Zhulati, Bako Çarçani nga Fushbardha, Islam Gjonika nga Fterra, Rakip Delvina,
Iliaz Tatëzati, Myslim Zenel Gjoleka, etj.
Sipas tregimeve dhe dokumentave që ruhen për këtë ngjarje, luftimet ishin shumë
të ashpra dhe megjithëse pushtuesit ishin me forca të shumta e të armatosur, nuk mundën që ta pushtonin dot Sarandën dhe Kalanë
e Lekurësit. Në këtë luftë mbetën të vrarë edhe dy trima nga fshati Fterrë, komandanti i çetës Islam Gjonika, - Fterra -
( janar i vitit 1878) dhe luftëtari Barjam Mehmeti, (në shkurt) të po atij viti. Pra lufta ka zgjatur rreth dy muaj.
Me të njëjtin vendim të Komitetit Ekzekutiv të rrethit Sarandë me
të cilin u shpall deshmor i kombit Mulla Lazo Kofina, u shpallën “Deshmore te Kombit” edhe Islam Gjonika dhe Barjam
Mehmeti.
Të kujtosh e të nderosh ata që dhanë jetën për liri, është një detyrim i brezave. Ndaj këto pak rreshta që po u kushtojmë
në faqet e gazetës sonë, bashkë me botimin e vendimeve për shpalljen e Mulla Lazo Kofina, Islam Gjonika dhe Bajram Mehmeti
“Dëshmor e Atdhetar i vjetër”, është një shënjë respekti që meritojnë dëshmorët e lirisë të të gjitha kohëve.
Ata përbëjnë vlera në traditën liridashëse fteriote. Me këtë rast një falënderim të posaçëm duam ti japim mikut dhe dashamirësit
të Fterrës, Llahe Hysi nga Borshi, i cili pasi u njoh me këto dokumenta ja vuri në dispozicion redaksisë së gazetës sonë.
Lavdi të përjetëshme dëshmorëve të fshatit tonë..
Feksor SHKURTI
Nr.38 – prill
2004