SHEFQETI,
PËR 80 VJET, LA EMËR TË MIRË PËR JETË
- Sipas “tregimit”
të Rasim Shkurtit -
Jemi 109 vjet larg ditës që ka lindur, ai që të gjithë fterjotët e brezit tonë i thoshnim:
Xha Shefqeti, i cili, në kujtesën e Fterrës, la emër të mirë pas. U rrit heqkeq. Që 6 vjeç mbeti jetim. Atëhere ishte kohë
e kurbetit në Turqi. Dhe i ati, Seiti nuk dihet pse e si, por e sakta është që mbeti në kurbet. “Mbeçë more shokë mbeç”…!
E ëma Maxharja u martua me Braho Shkurtin. Dhe dihet se çështë “njerku” apo “njerka”. Kjo e
detyroi Shefqetin e vogël të shkojë hyzmeqar në familjen e Dajlan Godos ne Çorraj, që pas pak kohësh iku në Turqi. Me
të bashkë shkoi dhe djaloshi Shefqet. Kështu e ka jeta, cave u ecën “fushe me lule”, cave me peripeci të papritura.
Kuptohet që u fut në punë, që tani cilësohen si punë “të zeza”. Dhe kuptohet që dhe të ardhurat ishin ashtu
si ishin. Ndaj, tani i doli zot vetes dhe me shpresën së në Selanik do të gjente një punë më të mirë, hipi vaporrit e shkoi.
Por “nga shiu ra në breshër”, se deti kudo është njësoj i kripur, ndërsa kurbeti ishte kudo i hidhur. Dhe
jo vetëm kaq. Por, djalin e ri Shefqet, po e digjte dhe malli për një motër e një vëlla, që i kishin mbetur vetëm në Fterrë,
Hafëzen dhe Axhemin.
Ndënji sa u çmall, por jeta ekonomike nuk e mbante. Ndaj mendjen e mbante ngritur. U “hypi” këmbëve dhe ndali
në Vlore. Puna e parë që bëri, me mësues privat, mësoi të shkruaj e të lexojë në gjuhën shqipe. E pas saj, edhe italisht.
Këtu në Vlorë, gjeti mundësinë dhe u vesh xhandar. Ishin vitet ’20-të. Pas tre-katër vjet shërbim në Vlorën e
Flamurit, transferohet në Burrel, por tashme, pas një kursi që kishte bërë, si nën/officer xhandarmërie.
Më vonë -, na thotë
Rasimi-, shërbeu në Krujë, Berat, Sarandë- Markat, dhe përsëri në Veri, por këtë radhë në Shkodër. Ishin fillimet viteve ’40-të,
kur këtu në Shkodër u njoh me Mitat Gjoligun dhe Asim Vokshin. I prirur për përparim, xhandari Shefqet, përqafoi idetë përparimtare,
që i ushqyen Mitati nga Kuçi dhe Asimi nga Kosova. Kur xhandarmëria kishte nxjerrë një urdhërarrest për Asimin, Shefqeti e
njoftoi që të largohej nga Shkodra. Por largimi i tij pa lënë gjurmë, krijoi dyshimin mbi Shefqetin. Ndaj, pa pritur i doli
transferimi për në Bicaj- Kukës.
Por tashmë, duke parë rrezikun
në sy, Shefqeti braktisi shërbimin dhe aty nga fundviti 1941 e fillimviti 1942, u kthye në vendlindjen Fterrë, ku u lidh me
Luftën për Liri. Me krijimin e Këshillit të fshatit, u zgjodh anëtar. Në ato vite, lufta e njohu dhe me Mustafa Matohitin,
me Bedri Spahiun dhe Jaho Gjoligun e me te tjerë…
Kur erdhi Liria, u caktua
si sekretar pushteti në komitetin ekzekutiv Kuç. Kur u suprimua ky komitet, aty nga marsi 1949, u emrua nëpunës i gjëndjes
civile po në Kuç.
Koha ecte. Shefqeti, megjithëse
tashmë i kishte kaluar të 50-tat, eci pas kohës. Kështu, së bashku me disa fterjotë të tjerë, me ndihmën e të mirit Nail Bezhani,
nisi punën si normist në ndermarrjen e ndërtimit në Tiranë, ku punoi deri sa doli në pension në “21 Dhjetori”.
Në pension doli, por megjithatë nuk u mbyll në shtepi. U aktivizua si kryetar i komitetit të prindërve në shkollën e Kombinatit
dhe si kryetar i Frontit në bllok. U aktivizua dhe në kryesinë e veteranëve të Lagjes “Kombinat”.
Me gruan e tij zemërbardhë
e të ndershme tek Zoti, Mehmedinë, lindën dhe rritën 9 fëmijë, të urtë, te sjellur, të edukuar, që nuk krijuan probleme, as
prindërve te vet, as në shkollë e as në shoqëri, duke ndërtuar një jetë të thjeshte e me nder. Gati të gjithë me arsim të
mesëm professional apo punëtor specialiste në Kombinatin e Teksileve. Djali me i madh, Nehati ndihmës mjek, që bëri dhe punën
e mjekut në spitalin civil Tiranë. Dashamiri, u dallua si ekonomist i lartë.
Jetën Shefqeti nuk e ndau
kurrë as nga njerëzit e tij e as nga shoqëria. Nje shëmbull i rrallë është se, bashkë me vëlla-Axhemin, jetuan 17 vjet pa
u ndarë. E rrallë dhe në Fterrë, se të mos harrojmë se Axhemi me Daron kishin 10 fëmijë e Shefqeti me Mehmedinë kishin
9. Ja, ky Shefqet, në çdo vend që jetoi e punoi, në Fterrë e Çorraj, Stamboll e Selanik, Vlorë e Shkodër, Berat e Tiranë,
apo dhe gjetkë, nga 1894 deri 1975, kudo la mër të mirë. Lumthi kush e arrin këtë. Shefqeti e arriti në 80 vjetët e jetës
së tij.
G.Z.